Jul Bonati
Jul Bonati (Shkodër, 24 maj 1874 - Durrës, 5 nëntor 1951) ka qenë jezuit, mësues, studiues letërsie, përkthyes shqiptar i martirizuar nga regjimi komunist. Hapja e procesit dioqezan për lumnimin e tij, u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Lumnimi dhe pranimi si shenjtor ndodhi më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.[1]
Biografia
RedaktoU lind në Shkodër, i biri i Aleksandër Bonatit dhe Roza Melgushit; Bonatët ishin me prejardhje italo-korfiote, bashkëshortja e dytë e Vaso Pashës ishte e dalë po nga kjo derë. I gjyshi, Nikollë Bonati, ishte një nga bashkëthemeluesit, me Ferit pashë Vlorën, Mehmet Ali bej Vrionin, Frashërllinjtë dhe Vaso pashën, të Shoqërisë së shkronjave të Stambollit, më 12 tetor 1879.[2] Po atë vit, më 1874, i ati ishte terxhuman i vilajetit të Manastirit.[3]
U pagëzua dhe krezmua në Shkodër nga Imzot Karl Pooten, arqipeshkëv metropolitan i Shkodrës dhe Primat i Shqipërisë, respektivisht më 31 maj 1874 dhe 5 qershor 1881.
Pasi studioi në kolegjin "Xaverianum" të Jezuitëve të Shkodrës, hyri si novic në Kompaninë e Jezusit në provincën e Portoresë, në rajonin e Fiumes, më 1891.[2] Seminarin dhe studimet universitare për teologjia e filozofi i kreu në Vjenë.[4] Mori urdhrat e vegjël dhe të mëdhenj, përfshirë meshtarinë, në gjirin e Jezuitëve, në Portoré dhe Gorizia.
Pas shugurimit meshtarak ushtroi funksionet e prefektit të studentëve në Gorizia, Kremona dhe Breshia.[2] U dërgua në Universitetin e Padovës për t'u doktoruar në Letërsi e Filozofi.[4] Qè profesor në Komo, Soresina, Milano, Shkodër dhe Stamboll. Doli nga Kompania e Jezusit për t'u bërë prift dioqezan, më 14 gusht 1912. Në atë kohë u vendos në Stamboll, i inkardinuar pranë vikariatit apostolik të latinëve të kryeqytetit perandorak, për të ushtruar dëtyrën e famullitarit të katolikëve shqiptarë që ndodheshin në brigjet e Bosforit - detyrë që ushtroi pranë kishës së Sh. Ospit në lagjen "Taksim".
Mori pjesë aktive në ndihmë të çështjes kombëtare në Konferencën e Paqes më 1918 me koloninë shqiptare të Stambollit kryesuar nga Halil pashë Alizotin, me pjesëtarë të tjerë Sulejman bej Delvinën, Fuad bej Dibrën dhe Mihal Shan Tepelenën,[5] duke mbështetur dërgatën e Shtetit Shqiptar me në krye Imzot Luigj Bumçin. Nga 1920 deri më 1924 qe anëtar i Klubit «Pragu shqiptar» që kryesohej nga Jonuz bej Kolonja dhe Anastas Frashëri dhe që ishte një nga shprehitë e fundit institucionale të Shoqërisë së Stambollit të formuar më 1879 pjesërisht nga paraardhësit e të tre këtyre personaliteteve. Qëndron në Stamboll deri më 1927 kur edhe kthehet në Shqipëri.
Nga 1927 deri më 1937 qe famulltar dhe vikar i përgjithshëm i arqipeshkvisë së Durrësit, kur arqipeshkëv ishin, njëri pas tjetrit, Imz. Françesko Melkiori Ofm dhe Pjetër Gjura dhe përpara se administrimin e saj ta merrte në dorë Imz. Vinçenc Prenushi Ofm. Më 1937 caktohet famullitar në Vlorë,[2] ku më 1938 shugurohet ipeshkëv ku në kushte të vështira jetese e pune shërbeu deri më 1942. Atë vit transferohet pranë Selisë së Shenjtë dhe për arsye shëndetësore dërgohet në spitalet e Montekatinit. Më 1944 pati një mbledhje të rëndësishme tok me klerikë të tjerë të Evropës Lindore, me Papa Piun XII. Për t'u përgatitur me kushtet e regjimit komunist kthehet në Shqipëri, ku në Vlorë nuk do të shërbente më shumë se dy muaj ngaqë e priste arrestimi.
U arrestua nga policia komuniste më 25 mars 1946 dhe u burgos në Vlorë. Gjyqi politik ju bë në Elbasan ku, më 31 tetor 1947, u dënua me 7 vjet burg. Gjykata e Lartë ia ktheu dënimin në 5 vjet.[4] I keqtrajtuar fizikisht dhe moralisht, u shua me dinjitet dhe pa mohuar besimin e tij, me 5 nëntor 1951, në Spitalin Psikiatrik të Durrësit.
Procesi kanonik i lumturimit të tij është në instruksion e sipër në Kongregatën e çështjes së shenjtëve të Selisë së shenjtë që prej viteve 1990.[2]
Referime
Redakto- ^ Flocchini, Emilia. "Beati Martiri Albanesi (Vincenzo Prennushi e 37 compagni)" (në italisht). Santiebeati. Marrë më 6 tetor 2017.
- ^ a b c d e Frashëri, Thomas (përg.), Imzot Jul Bonati SJ (1874 - 1951).
- ^ Handbuch des Allerhöchsten Hofes und des Hofstaates Seiner K. und K. Apostolischen Majestät (në gjermanisht). K. K. Hof- und Staatsdruckerei. 1911. fq. 375.
- ^ a b c Asllani, Uran (10 shkurt 2014). "Si e mbrojtën çështjen shqiptare klerikët katolikë në Konferencën e Paqes". panorama.com.al.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 151. ISBN 978-9928-140-54-8.