Abdi bej Toptani
Abdi bej Toptani (1864 - 1942), veprimtar i çështjes kombëtare, prijës çetash, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ministër Financash në qeverinë e parë, pjesëtar i Këshillit të Naltë dalur nga Kongresi i Lushnjës.
Abdi bej Toptani | |
---|---|
Ministër i Financave | |
Në detyrë 4 dhjetor 1912 – tetor 1913 | |
Paraprirë nga | Pavarësia |
Pasuar nga | zv. Aziz pashë Vrioni, pas tetorit Jorgji Çako |
Ministër i Bujqësisë | |
Në detyrë 28 maj – 3 shtator 1914 | |
Paraprirë nga | Aziz p. Vrioni |
Pasuar nga | Sami bej Vrioni (1918) |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 1864 Tirana Perandoria Osmane) |
Vdiq më | 1942 Tiranë, Mbretëria Shqiptare 1939-1943 |
Nënshtetësia | Shqiptarë |
Fëmijët | Ihsani, Hiqmetja, Zejnepja, Xhahiti |
Punësimi | çifligar, nëpunës |
Jeta
RedaktoLindi në Tiranë në oxhakun e Toptanve, i biri i Adem beut[1] dhe Qamile hanëmit.[2] Kreu mejtepin në vendlindje, ndërsa të mesmen në Stamboll. Kthehet në atdhe më 1895[3].
Për shkak të divergjencave politike oxhaku i Toptanve u nda pothuaj në dy pjesë: njëri krah me Esad Pashën e tjetri me Abdinë, Refikun e Muratin.
Organizoi forcat kryengritëse kundër osmanëve në Shingjergj dhe Shupal në korrik 1912, me 6 bastisën depon e Shijakut ku pajisen me armë e municion e me 8 marrin në dorë Krujën. Me të marrun Shkupi nga krenët e revoltës së Kosovës me në krye Hasan Prishtinën e Bajram Currin, shkon me një nga dera e Gjonmarkajve të Mirdites dhe Mustafa Krujën të koordinonin levizjet por pakti me kërkesat e H. Prishtinës tashmë ishte nënshkruar.
Bashkëpunon me Imzot Nikollë Kaçorrin dhe Mustafa Krujën në qarqet patriotike në qarkun e Durrësit (kjo prefekturë përfshinte pesë ndënprefektura: Durrsi vetë me pak katunde, Kavajen, Tiranen e Krún).[4]
Në nëntor 1912 priti në Durrës Ismail Qemali dhe e shoqëroi atë deri në Vlorë, ku mori pjesë në ngritjen e flamurit firmoi aktin e pavarësisë me siglën “Abdi”. U zgjodh ministër i Financave në qeverinë e parë shqiptare.
Me ardhjen e Princ Vidit më 1914, caktohet ministër i Bujqësisë dhe Industrisë. Viti 1915 Abdi Toptanin e gjen jashtë atdheut, në organizimet patriotike të shqiptarëve në Zvicër.
Në Kongresin e Lushnjes, ishte nga aktivistët kryesorë dhe për këtë u zgjodh antar i Këshillit të Lartë së bashku me Aqif pashë Elbasanin, Imzot Luigj Bumçin dhe dr. Mihal Turtullin. Përkrahu kryengritjen e marsit 1922 udhëhequr nga Bajram Curri e Elez Isuf Ndreu, për të cilën u dënua me vdekje, por lejohet të largohet në Austri. Pas amnistimit tërhiqet krejtësisht nga jeta politike.[3] Vitin e festimit të 30 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, evenimetit historik ku ai mori pjesë, më 1942, Toptani vdiq në Tiranë.
Pasardhësit
RedaktoFëmija i parë ka qenë Ihsani, i cili u largua në tetor të ’44-s me grupin e ushtarakëve të misionit anglez, Abaz Kupin etj. U dënua më pas me vdekje në mungesë. Punoi për “Newsweek” dhe BBC. Fëmijët e tjerë kanë qenë 2 vajzat Hiqmeti e Zejnepi, si dhe më i vogli, Xhahiti. Përveç Xhahitit që kreu studimet në shkollën e Fultz-it për Agronomi, ndërsa të lartën në Milano për Shkenca Agrare - gjithë tjerët u shkolluan në Vienë.[5]
Referimet
Redakto- ^ Shllaku L., Pema gjenealogjike e Familjes se Skenderbeut, Gazeta Shqiptare, 9 nëntor 2002.
- ^ Toptani G., Ju rrëfej gjyshin tim Abdi beun, intervistoi Ani Jaupaj, Panorama, 24 shtator 2012.
- ^ a b Dervishi K., Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet, Tiranë: 55, 2012, fq. 239, ISBN 978-9943-56-22-5
- ^ «Shqiptari» i 1912-s e shqiptarizma në qarkun e Durrsit, Mustafa Kruja; marrë nga «Shêjzat» 1973
- ^ Jaupaj A., Gajda Toptani, mbesa e Abdi Toptanit: Ju rrëfej tim gjysh, nga firmosja e Pavarësisë te harresa, Panorama, 24 shtator 2012.